Vjen supermarketi ku klienti merr atë që do por paguan aq sa ka mundësi ekonomike! Iniciativa për të luftuar varfërinë

0
333

Hapet supermarketi i ëndrrave ku mund të futesh, të mbushësh karrocën me atë që ke nevojë dhe pasi mbërrin në kasë mund të paguash atë që ke mundësi. Madje, edhe mund të mos paguash fare nëse nuk ke para në llogari bankare apo në xhep.

Është supermarketi i parë i “paguaj sa ke mundësi”, i hapur në Toronto në Kanada, për të promovuar një etikë konsumi ushqimor jashtë logjikës së përfitimit. Kjo është një iniciativë e shefit Jagger Gordon, një “star” i kuzhinës kanadeze, që jashtë çdo kriteri të tregut ka nisur idenë e re të “pazarit ushqimor”: kur të mbërrish të kasa, paguan mbi bazën e kapacitetit ekonomik. Një sukses i menjehershëm me mbi 200 klientë të cilët që në ditën e parë kanë mbushur korridoret e rafteve të supermarketit.

Ideja për të hapur këtë supermarket ka lindur nga konstatimi se në Kanada një fëmijë në katër vuan mungesën e ushqimit. “E kam mësuar këtë për herë të parë kur vajza ime, që kishte shkuar në një festë me klasën në shtëpinë e një shoku u kthye në shtëpi para parashikimit. Arsyeja: Në shtëpinë e shokut të saj nuk kishte ushqim për të ngrënë mëngjesin. Zbulova se bëhet fjalë për një plagë të përhapur në të gjithë vendin” shprehet Gordon.

Shifrat janë impresionuese: Në Kanada 4 milionë persona, mes të cilëve 1 milion e gjysëm fëmijë vuajnë urinë. Ndërkohë sasia e ushqimit që shkon në plehra, si rrjedhojë e shpërdorimeve ushqimore por edhe zakoneve të gabuara në sistemin e shpërndarjes ku 70% e frutave e perimeve hidhen, çdo ditë arrin në tonelata.

Në këtë mënyrë, Gordon ka nisur një cikël në marrëveshje me supermarketet e tjera dhe mbledh frutat e perimet, të mira por jashtë kalibrit, që përdryshe do të përfundonin duke u hedhur, dhe i vendos në dispozicion të supermarketit ku secili “merr atë që ka nevojë e paguan atë që mundet”.

Marrë nga Repubblica/Përshtati në shqip: SCAN