Taksat e reja në sektorin e ndërtimit, pse çmimet nuk ulen

0
1255

Taksën e strehimit social prej 3% të sipërfaqes së projektit, ndërtuesit e kanë cilësuar si diskriminuese që në fillim të herës. Kjo taksë, e cila pritet që të hyjë në zbatim këtë vit, pritet që të transferohet në çmimin final të apartamentit. Sektori i ndërtimit ka pasur një ecuri pozitive gjatë dy viteve të fundit për shkak të dhënies së lejeve të ndërtimit në Tiranë. Megjithatë, aktorët e tregut shprehen se sektori është ndër më të prekurit nga taksat e larta. Taksa e infrastrukturës, e cila u ndryshua nga 4% e kostove të ndërtimit në 8% të çmimit të shitjes në 2015-n, ishte një prej faktorëve që rriti çmimet e apartamenteve të reja.

Sokol Kika thotë se, pavarësisht se u përpoqën që ta negocionin vendosjen e taksës së strehimit nëpërmjet Shoqatës së Ndërtuesve në vend për vjeljen e saj në një formë tjetër, nuk arritën në një marrëveshje me qeverinë. Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar që në formë solidariteti të paguajnë 1% më shumë si tatimfitim, por që nuk ka arritur një marrëveshje. Edhe përfaqësuesit e kompanisë Kontakt pohojnë se taksat janë arsyeja kryesore për rritjen e çmimit.

Përveç taksës së infrastrukturës dhe taksës së aplikueshme pas 1 janarit për krijimin e fondit për strehimin social, ndërtuesit shprehen të shqetësuar edhe për tarifën mbi mbetjet inerte. Sokol Kika thotë se kostot për një metër kub janë 2000 lekë. Enida Bezhani, përfaqësuese e Dhomës Amerikane të Tregtisë, tha se kompanitë e ndërtimit janë të shqetësuara në lidhje me taksat. “Na ngrihen shqetësime mbi taksën e infrastrukturës në ndërtim, taksa e ndikimit paguhet paraprakisht, duke krijuar një barrë për kompanitë. Nga data 1 janar, edhe ndërtuesit duhet të kontribuojnë 3% për strehim social, që kjo do të sjellë një ngarkesë tjetër për biznesin, tha zonja Bezhani. Një tjetër shqetësim që ajo ngriti është edhe taksa mbi lëvizjen e dherave, e cila rëndon në kostot e kompanive të ndërtimit.

Previous articleCili do të jetë drejtimi i Euros ?
Next articleTulipanët “rrëmbejnë” mbi 1 mln turistë në Holandë – Parashikimi: Pritet të shpenzojnë rreth 300 mln euro