Ketu do te gjeni ne menyre të përmbledhur informacion dhe dokumentacionin që duhet të plotësohet nga një subjekt gjatë eksportit të mallrave ne Shqipëri.
Proçedurat e Eksportit kryhen në bazë të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë sipas neneve 181-182. Palët e përfshira në procedurat doganore të eksportit janë organet doganore, agjentët doganorë. Sipas grup mallrave për tu eksportuar, palë mund të jenë edhe Organet Sanitare e Fitosanitare, Veterinare dhe Organet shtetërore të kontrollit të Eksporteve.
Për më shumë kliko: www.dogana.gov.al/procedurat/eksporti
1. Dispozitat mbi Eksportin (neni 428 dhe neni 181 të Kodit Doganor)
Eksportues quhet personi me emrin ose për llogari të të cilit bëhet deklarata e eksportit dhe i cili është pronar i mallrave që do të eksportohen.
- Ç kuptojmë me rregjim të Eksportit
Sipas Nenit 181 të Kodit Doganor ‘Regjimi i eksportit lejon që mallrat shqiptare të dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë. Eksportimi sjell zbatimin e formaliteteve të daljes, duke përfshirë edhe masat e politikës tregtare dhe, kur është rasti, detyrimet e eksportit”.
- Eksporti
Eksporti nga Republika e Shqipërisë është i lirë, pa ndonjë masë tjetër kufizuese, pa kuota, pa ndalime apo kufizime të tjera tarifore dhe jotarifore. Mbi eksportet shqiptare nuk zbatohet asnjë lloj takse eksporti.
2. Tarifa për Eksportin e Mallrave
Tarifa eshtë 0% për Eksportin e mallrave nga territori i R.SH , furnizimin e shërbimeve nga persona rezidentë Shqiptarë jashtë territorit Shqiptar (eksporti i shërbimeve) dhe transportin ndërkombetar të mallrave dhe pasagjerëve. TVSH zbatohet në masen zero përqind për mallra që eksportohen nga territori i Republikës së Shqipërisë. Për subjektet që eksportojnë, Tarifa 0% ka perparësi pasi ato kanë të drejtë të rimbursohen për TVSH-në e paguar gjatë blerjes së materialeve dhe lëndës së parë për produktet që eksportojnë.
3. Proçedura praktike për eksport
Si shembull, në qofte se një subjekt i caktuar me seli në Tiranë do të realizojë një eksport nga territori Shqipërisë, duhet të paraqitet në Degën doganore kompetente për territorin ku është vendosur personi d.mth. ku ka selinë ky subjekt.
Me paraqitje do të kuptojmë mjetin me ngarkesën për eksport si dhe parashtrimin e dokumentacionit përkatës, i cili është prezentuar në tabelën vijuese.
Dokumentat e prezantuara duhet të paraqiten në një Agjensi doganore të liçensuar (që ndodhen pranë zyrave doganore) ku edhe përgatitet deklarata doganore për eksport.
4. Cilat jane hapat qe duhet te ndiqen?
Hapi i parë: Plotësimi i deklaratës për eksport
Fillimisht dokumenti që duhet të plotësohet në zyrën doganore është Deklarata e Eksportit, e cila depozitohet në Doganën e rajonit ku është vendosur eksportuesi ose mallrat janë paketuar apo ngarkuar për eksport. Kjo deklaratë bëhet ose përpilohet në bazë të Dokumentit Administrativ të vetëm duke përdorur tre kopjet e formularit përkatës që i disponon cdo zyrë doganore.
Hapi i dytë : Paraqitja në zyrën e daljes
Kopja e tretë e formularit përkatës që i kthehet personit të interesuar së bashku me mallrat për eksport duhet të paraqitet në zyrën e daljes, e cila bën verifikimet e duhura për t’u bindur që mallrat që u paraqiten atyre përputhen me ato të deklaruara, e më pas ato mbikqyrin daljen nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë.
Hapi i tretë : Konfirmimi në zyrën e daljes për realizimin e eksportit
Zyra e daljes konfirmon daljen në fakt të mallrave, nëpërmjet shënimit në faqen e pasme të kopjes së tretë dhe ia jep këtë kopje personit i cili e paraqiti. Kjo kopje konfirmon që mallrat e deklaruara për eksport janë realisht eksportuar nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë.
“Zyrë doganore e daljes” do të thotë se në rastin e mallrave të eksportuara në rrugë hekurudhore, postare, ajrore ose detare, zyra doganore kompetente për vendin ku mallrat merren përsipër sipas një kontrate të vetme transporti për transportim në një vend tjetër përkatësisht nga shoqëritë hekurudhore, nga autoritetet postare, nga shoqëritë ajrore ose nga shoqëritë e spedicionit;
Pas paraqitjes të deklaratës doganore për eksport, së bashku me dokumentat e tjera ndiqet proçedura që përmendëm më lart.
5. Çfarë kuptojmë me PARAQITJE?
Me paraqitje do të kuptojmë mjetin me ngarkesën për eksport si dhe dokumentacionin përkatës si më poshtë që dorëzohen pranë Organeve Doganore:
- Deklaratën e eksportit
- Faturën e shitjes të mallit që do të eksportohet
- Dokumentin e transportit të mallit sipas llojit të transportit (CMR, B\L), dokumentacionin e mjetit transportues (librezën e mjetit, taksat e paguara për aks të tonazhit) shoqëruar nga listë ngarkese e mallit
- Çertifikata e origjinës së mallit nga Dhoma e Tregtisë përkatëse
- Çertifikatë EURO 1, e cila lëshohet nga dega doganore e vendosur në rajonin ku është prodhuar malli
- Çertifikata e cilësisë së mallit, sic mund te jenë Certifikata veterinare dhe fitosanitare (për disa lloje produktesh me origjine bujqësore)
- Të tjera – Dokumenta të tjerë shoqëruese të mallit (leje të veçanta) që varen nga natyra e mallit që do të eksportohet (druri, bimët mjeksore, lëkuret, etj), për të cilët merren leje nga bashkia apo komuna ku është prodhuar apo grumbulluar malli për eksport.
Në mënyrë më të detajuar dokumentat e nevojshme për Eksport që dorëzohen pranë Organeve Doganore janë si më poshte:
- Deklaratën e Exportit (DAV-export)
- Faturën e Blerjes së mallit
- Dokumentin e transportit të mallit
- Listë ngarkesa apo manifesti i mallit
- Certifikata e Origjinës
- Certifikata Euro 1
- Certifikata veterinare dhe fitosanitare (për produktet bujqësore)
Për informacion më të detajuar referohuni:
DREJTORIA E PERGJITHSHME E DOGANAVE; Website: www.dogana.gov.al/procedurat/eksporti
LEHTËSIRA NË DOGANË PËR BIZNESIN DHE EKSPORTUESIT
6. PROJEKTI APLIKIMIT TË “ KANALIT JESHIL ”
Në fillim të viti në Doganën e Portit të Durrësit është prezantuar projekti i “Aplikimit të Kanalit Jeshil” nga Dogana Shqiptare. “realizuar në kuadër të Projektit “Asycuda Upgrade” i financuar nga International Finance Corporation, Projekti Trade Logistics, me ekspertizën e UNCTAD (United Nations Conference on Trade And Developement.)
Risitë dhe avantazhet që sjell “Kanali Jeshil
Funksionimi i Kanalit Jeshil do të thotë “përzgjedhje pa kontroll doganor”, ku biznesi në ndërveprim me agjencinë doganore kryen proçedurat e zhdoganimit të mallit, pa patur nevojën e personelit doganor.Përzgjedhja e biznesit për kanalin jeshil, lidhet me dokumentacionin, por njekohesisht është automatike, pra nuk është përzgjedhje njerëzore dhe biznesi përfiton në kosto, në shkurtim barrierash, në kursim kohe, që është shumë e rëndësishme, por njëkohësisht edhe dogana përfiton se në vend që të merret me të gjithë kontrollet 100 % siç bën sot, , do të ulet në mënyrë të dukshme numri i kontrolleve.
Cilat biznese përfitojnë nga kjo praktikë moderne në doganë ?
Bizneset, të cilat janë korrekte, kanë rekorde shumë të mira në doganë apo në tatime, janë zbatues të përpiktë të ligjit apo kanë bërë investime në sistemet e tyre IT, mund të përfitojnë nga Kanali Jeshil. Kjo praktikë rrit edhe konkurrencën e tyre, duke nxitur nevojën dhe dëshirën e bizneseve për të arritur në këto standarde.Sipas Ministrise të Financave, nje pjese e mire e proçedurave të eksportit realizohen me anë të Kanalit Jeshil.
7.Si mund të shkruajmë një ofertë eksporti ?
Sot në tregtinë ndërkombëtare një rëndesi të vecantë për eksportuesin ka perpilimi i ofertës së mallrave që do të eksportojë në tregun e huaj. Pikësëpari, përpara se të pergatisni një ofertë ju duhet të informoheni për sa më poshtë:
• Në se ka kufizime ose ndalime për importin e produktit tuaj në vendin ku doni të eksportoni. Gjithashtu , kërkesa të tjera specifike të vendit importues mund të jenë edhe lejet apo liçencat.
• Rregulla të tjera teknike për mbrojtjen e konsumatorit apo standarte teknike të shoqëruar me çertifikata të lëshuara nga institucione të autorizuara apo të legalizuara nga konsullata të vendit importues.
• Taksa dhe tatime; si rregull blerësi dhe shitësi paguajnë taksat dhe tatimet në vendet e tyre përkatëse. Por sigurisht palët mund të bien dakord edhe ndryshe në kontratë. Psh: ata mund të bien dakord që shitësi të paguajë detyrimet doganore dhe TVSH në vendin importues. Në këtë rast, ka një proçedurë, psh disa vende kërkojnë që kompania që do të paguajë TVSH të jetë një kompani e regjistruar në këtë vend. Zgjidhja mund të jetë edhe duke përdorur një zyrë përfaqësuese taksash në vendin importues.
Për informacion mbi tarifat doganore dhe TVSH në vendet e BE-së dhe rajonit, konsultoni faqen : httpp//exporthelp.europa.eu
Ofertat mund të jenë të disa llojeve:
• Oferte direkte – oferta i drejtohet direkt blerësit me të dhëna të sakta për cilësinë dhe sasinë
• Ofertë pjesore – ofertë vetëm për një pjesë të mallrave që ka kërkuar blerësi
• Ofertë me sasi të papërcaktuar – oferta mbulon një sasi të papërcaktuar të sasisë së mallit
• Ofertë tenderi – bazuar mbi një kërkesë tenderi
Oferta në fund të fundit përbën një angazhim të shitësit për ato që ka shkruar. Ajo përbën një mjet të rëndësishëm marketingu në maredhëniet me klientët potencialë. Një ofertë e shkruar mirë është prova e parë që prezanton efiçencën e kompanisë prandaj është e rëndësishme që blerësi të tërhiqet profesionalisht nga oferta, si nga përmbajtja, edhe nga paraqitja e saj. Rekomandohet që në ofertë të përdoret e njëjtja gjuhë si në kërkesën e paraqitur nga blerësi.Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë një gjuhë e njohur ndërkombëtare, si anglishtja, do të ishte më e rekomandueshmja.Oferta duhet të jetë e shkruar thjeshtë dhe lehtësisht e lexueshme, në mënyrë të tillë që blerësi të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm për të bërë një porosi.
Disa nga elementët më të rëndësishëm të ofertës janë si më poshtë:
• Produkti: emri, përmasat, pesha, vëllimi, kodi doganor (HS), materiali, ngjyra, etj si edhe sasia (në rast se e keni të kufizuar)
• Cmimi: çmimi për njësi, monedha, skonto, rabatet sasiore, sasia minimale për porosi me çmimin e deklaruar
• Koha e lëvrimit: të jetë sipas kërkesës së blerësit ose sipas sugjerimit tuaj (duke llogaritur në të edhe kohën që ju nevojitet për të marrë leje/liçenca të mundshme në atë vend)
• Termat e lëvrimit: Incoterm-a që ju deklaroni lidhet direkt me çmimin e ofruar (shih Incoterm-at).
• Termat e pagesës: koha, vendi dhe metoda e pagesës.
Rekomandohet të sqarohet praktika e zonës së tregut në fjalë, besueshmëria e blerësit dhe situata e tregut
• Informacioni për paketimin: lloji i paketimit dhe materialit.Peshat neto dhe bruto të produktit, vëllimi kubik, përmasat e paketimit
• Vlefshmëria e ofertës: data e skadencës së ofertës
• Informacione shtesë: nëse termat e pagesës janë me psh: letër kredie, duhet të shënohen kërkesat specifike që duhet të plotësojë blerësi. Kjo për arsye sepse korrigjimet e një letre kredie të hapur janë të kushtueshme
• Nënshkrimi: tradicionalisht oferta nënshkruhet nga shitësi, por edhe mund të mos nënshkruhet
Pasi dërgohet oferta, eksportuesi duhet të interesohet nëse oferta i ka mbërritur blerësit të mundshëm si edhe të përpiqet të kuptojë reagimin e tij dhe nëse ka ndërmend të bëjë një porosi. Nëse oferta pranohet, është sjellje etike në biznes të dërgohet një konfirmim pranimi të porosisë nga klienti.Në këtë rast, duhet të krahasohet nëse porosia e dhënë është identike me ofertën e bërë. Nëse nuk janë, atëherë do të thotë që kemi të bëjmë me një kundra-ofertë për të cilën duhet të ketë një reagim të menjëhershëm (duke e pranuar ose refuzuar).