Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në kuadër të rubrikës së saj Tatimet Këshillojnë, ka vendosur të ndalet së fundmi tek deklarimi i të ardhurave personale.
Detyrimin për të deklaruar e ka çdo individ rezident shqiptar që realizon të ardhura bruto vjetore me burim brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në shumën 2.000.000 lekë, mbi këtë shumë, ka detyrimin të plotësojë dhe dorëzojë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave brenda datës 30 prill të vitit që pason vitin e mbyllur kalendarik.
Edhe individi jorezident, ka detyrimin e deklarimit në rastet kur realizon të ardhura bruto vjetore me burim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në shumën 2.000.000 lekë, mbi këtë shumë, duhet të plotësojë dhe dorëzojë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave brenda datës 30 prill të vitit që pason vitin e mbyllur kalendarik.
Korrigjimi i deklarimit
Një nga problematikat që mund të hasin deklaruesit e të ardhurave personale është plotësimi gabim të deklaratës që mund të vijë për një sërë arsyesh. Për të mos u penalizuar, Tatimet bëjnë me dije se ekziston edhe mundësia e korrigjimit.
Individi deklarues mund të korrigjojë deklaratën fillestare të tij deri në dy herë, brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të deklaratës së parë të plotësuar gabim, pa penalitete.
Në rast të një korrigjimi tjetër, pas atij të dytë, brenda afatit tremujor nga dorëzimi i deklaratës fillestare ndaj individit tatimpagues deklarues, zbatohen sanksionet ligjore. Individi e dorëzon deklaratën e korrigjuar nga llogaria e tij në e-filing në faqen zyrtare të tatimeve online www.tatime.gov.al.