Rritet numri i azilkërkuesve shqiptarë – Valë e re gjatë Marsit, në pritje nëpër kampe

0
474

Numri i azilkërkuesve shqiptarë në Bashkimin Europian është rritur sërish gjatë muajit Mars të këtij viti, thonë të dhënat më të fundit të Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilit (EASO).

Sipas këtyre të dhënave, gjatë Marsit, ishin 2158 kërkesat në total, nga të cilat 1936 ishin shqiptarë që aplikonin për herë të parë për azil, ndërsa pjesa e mbetur, 222 të tjerë janë raste përsëritëse. Të dhënat tregojnë se ky është niveli më i lartë që prej Nëntorit të vitit të kaluar, si dhe ndjeshëm më i lartë se Marsi i vitit 2018, ç`ka sinjalizon një tendencë në rritje për t`u larguar nga Shqipëria, si azilkërkues.

Kjo tendencë në rritje vjen pavarësisht faktit se, Shqipëria është e klasifikuar si një vend i sigurte origjine. Madje, të dhënat tregojnë gjithashtu se, vetëm 5% e aplikuesve marrin një përgjigje pozitive. Shqiptarët që janë duke pritur një përgjigje dhe që sorollaten kampeve dhe qendrave të strehimit nëpër Europë, në pritje të një përgjigje nga autoritetet janë 11810.

E përkthyer në terma më të thjeshtë, rezulton se 0.4% e popullsisë shqiptare, ose 1 në 250 shqiptarë, ka kërkuar mbrojtje në një prej vendeve të bashkimit europian, dhe aktualisht është duke u strehuar në qendrat e pritjes së emigrantëve. Të dhënat tregojnë gjithashtu se, shqiptarët vijojnë të jenë në listën e 10 vendeve kryesore të origjinës së azilkërkuesve, duke qëndruar në vendin e 9-të. Tashmë në listë janë futur edhe vende si Kolumbia dhe sidomos Venezuela, vend në krizë të thellë humanitare./Tv -Scan/