Regjistrimi i biznesit ne QKB – Procedura, sportelet dhe afatet

0
476

APLIKIMI

Aplikimi për t’u regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit do të mund të bëhet pranë sportelit qendror të QKB-së, pranë sporteleve të shërbimit në territor (kliko këtu për listën e plotë) dhe pranë sportelit elektronik (e-Albania).

Me paraqitjen në sportel, personi që aplikon duhet të paguajë tarifën përkatëse për llojin e regjistrimin që ai kërkon (Lista e tarifave). Pasi nëpunësi i sportelit verifikon pagesën dhe identitetin e aplikantit, ai i kërkon të plotësojë formularin përkatës.

Nëpunësi i sportelit hedh në sistem të dhënat e plotësuar nga individi dhe i kërkon atij të dorëzojë dokumentin shoqërues, ku provohen të dhënat që regjistrohen. Ky dokumentacion mund të dorëzohet në sportel edhe në formatin elektronik, nëpërmjet transmetimit elektronik me mjete të sigurta për komunikimin dhe nënshkrimin elektronik.

Edhe në rast se nëpunësi vëren pasaktësi në fushat e plotësuar, do të vijojë me hedhjen e tyre në sistem. Pasi të dhënat të konfirmohen nga personi që aplikon, nëpunësi i dorëzon konfirmimin e kryerjes së aplikimit.

SHQYRTIMI I APLIKIMIT

Gjatë afatit të shqyrtimit dhe vlerësimit të aplikimit, QKB-ja i mundëson aplikantit ndjekjen e statusit të aplikimit në faqen zyrtare të internetit të QKB-së nëpërmjet përdorimit të numrit të çështjes (CN), të dhënë me konfirmimin e kryerjes së aplikimit

Çdo vendim i QKB-së në lidhje me miratimin, pezullimin apo refuzimin e një aplikimi i njoftohet me shkrim aplikantit në çdo sportel, pavarësisht nga vendi i kryerjes së aplikimit, si dhe në faqen zyrtare të QKB-së, jo më vonë se 1 ditë nga data e paraqitjes së aplikimit.

PRANIMI I REGJISTRIMIT

Aplikimi dhe dokumentet shoqëruese i dorëzohen nëpunësve të autorizuar të QKB, të cilët do t’i shqyrtojnë e do të marrin një vendim, jo më vonë se 1 ditë nga data e paraqitjes së aplikimit.

Me miratimin e aplikimit dhe kryerjen e regjistrimit, sistemi i informatizuar i QKB-së automatikisht:

a)    lëshon vërtetimin e kryerjes së regjistrimit;
b)    përditëson të dhënat e subjektit në regjistrin tregtar;
c)    lëshon certifikatat e regjistrimit, sipas parashikimeve të ligjit të regjistrimit të biznesit, si dhe në rastin e regjistrimit fillestar;
ç) krijon të dhënat e subjektit në regjistrin tregtar;
d)    gjeneron Numrin Unik të Identifikimit të Subjektit (NUIS)

PEZULLIMI I REGJISTRIMIT

Në rast se nëpunësi i autorizuar i QKB vëren mangësi apo gabime në aplikim, aplikimi mund të pezullohet. Pasaktësitë, gabimet teknike ose gabimet e tjera të bëra gjatë regjistrimeve, të cilat rezultojnë qartë nga dokumentacioni i depozituar dhe nuk cenojnë vlefshmërinë e regjistrimit, mund të korrigjohen nga vetë QKB-ja.

Në të kundërt aplikanti ka një afat shtesë prej 21 ditësh për të plotësuar ose ndrequr mangësitë që pengojnë regjistrimin. Nëse brenda këtij afati, aplikanti ka ndrequr mangësitë, QKB kryen regjistrimin, i cili do të mbajë datën e paraqitjes së aplikimit fillestar.

Nëse nëpunësi i autorizuar nuk ka vendosur për pezullimin ose refuzimin e një aplikimi brenda afatit maksimal prej 1 dite, aplikimi do të quhet i pranuar menjëherë.