Në janar të këtij viti në Itali hyri në fuqi ligji mbi faturimin elektronik për sipërmarrjet private. Bizneset italiane, subjekt i tatimit të vlerës së shtuar (TVSH) duhet ta gjenerojnë faturën në formatin dixhital XML, nëpërmjet sistemit të shkëmbimit (Sdi) të Agjencisë së të Ardhurave. Sistemi i faturimit elektronik ka ulur mundësitë për sipërmarrjet që operojnë në Itali që të shmangin taksat, duke rritur indirekt barrën fiskale. Agjencia e të Ardhurave në Itali raporton se vetëm për dy muajt e parë të këtij viti, falë faturimit elektronik ka kapur blerje fiktive prej 3.2 miliardë euro, duke zbuluar një evazion fiskal prej 668 milionë euro në TVSH.
Por, nga kjo situatë duket se po del e përfituar Shqipëria. Prej shtrëngimit të masave fiskale në vendin fqinj, bizneset italiane “po dynden” në Shqipëri, dhe po kërkojnë hapjen e ndërmarrjeve kryesisht në sektorin e tekstileve e këpucëve, por edhe në call center, si një mënyrë për të kaluar një pjesë të të ardhurave në Shqipëri, ku taksat janë më të ulëta dhe marrëveshja e shmangies së taksimit të dyfishtë u mundëson atyre që të paguajnë më pak taksa për pjesën e aktivitetit në Shqipëri.
Flamur Hoxha, administrator i kompanisë së prodhimit të veshjeve Kler, thotë se ky fenomen ka filluar të vërehet në 4-5 muajt e fundit. Hoxha thotë se ishin disa faktorë që kanë ndikuar në ardhjen e këtyre bizneseve në Shqipëri, një prej të cilave edhe hyrja në fuqi e ligjit për faturimin elektronik.
Ndër të tjera ai shton se arsye tjetër ka qenë sforcimi i bizneseve që operojnë në vendet e BE-së, si Italia, Rumania dhe Bullgaria.
Në Rumani dhe Bullgari, kostot e operimit e ndërmarrjeve fason kanë shkuar sa 70-80% të kostove të operimit në Itali, çka e bën të paleverdishme për bizneset të vijojnë aktivitetin në këto shtete, megjithëse kanë investuar në shuma të larta për ngritjen e kapanoneve me kapacitete të mëdha prodhimi.
Tjetër faktor sipas Hoxhës është edhe braktisja masive Rumanisë dhe Bullgarisë. Për shkak se këto vende janë pjesë e BE-së dhe kanë lëvizje të lirë të krahut të punës, në këto dy shtete është bërë pothuajse e pamundur sigurimi i krahut të punës.