Manuali i TVSH-se nga Tatimet. Ja cfare duhet te dini

0
1518

Tatimet publikojnë manualin për TVSH-së, ja pesë rregulla të veçanta të tatimit
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përpiluar një manual për detyrimet dhe të drejtat që kanë tatimpaguesit e përfshirë në TVSH.

Çdo person rezident në Shqipëri, qarkullimi vjetor i veprimtarisë ekonomike të të cilit është mbi vlerën 5,000,000 lekë, që është kufiri minimal të regjistrimit për TVSH-në. TVSH-ja zbatohet si një tatim në përqindje, mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve dhe bëhet i pagueshëm, pasi më parë zbritet TVSH që rëndon drejtpërdrejt, elementet e kostos së mallrave dhe të shërbimeve.

Regjistrimi si subjekte i pagesës së TVSH bëhet brenda 15 ditëve nga data e kalimit të kufirit minimal, kur qarkullimi juaj gjatë 12 muajve të njëpasnjëshëm tejkalon kufirin 5 milionë lekë.

Ndërsa çregjistrimi bëhet kur qarkullimi në 12 muajt e fundit kalendarikë bie nën kufirin minimal të regjistrimit. Çregjistrimi, hyn në fuqi 12 muaj pas datës së paraqitjes së kërkesës për t’iu nënshtruar regjimit të bizneseve të vogla.

Kur lind kërkueshmëria e tatimit

Për furnizimet brenda vendit, lindja e tatimit ndodh dhe TVSH-ja bëhet e kërkueshme kur furnizimi i mallrave ose-furnizimi i shërbimeve kryhet.

Për importimin e mallrave, lindja e tatimit ndodh dhe TVSH-ja bëhet e kërkueshme kur importimi i mallrave është kryer.

Rregulla të veçanta

1-Për çdo pagesë të kryer para se të kryhet furnizimi i mallit ose para përfundimit të furnizimit të shërbimit, TVSH-ja mbi pagesën lind dhe bëhet e kërkueshme në momentin e arkëtimit të shumës së paguar.

2-Në rastin kur fatura tatimore është lëshuar përpara furnizimit, TVSH-ja bëhet e kërkueshme në momentin kur është lëshuar fatura.

3-Në qoftë se kryhen pagesa pjesore ose pagesa të njëpasnjëshme për furnizimet e mallrave ose të shërbimeve, këto furnizime mallrash ose shërbimesh konsiderohen të kryera në përfundim të çdo periudhe, së cilës i referohen pagesat.

4-Furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të kryera në mënyrë të vazhdueshme, brenda një periudhe kohore, përfshirë operacionet e ndërtimit, konsiderohen të kryera në të njëjtin muaj, në të cilin lëshohet fatura.

5-Për mallrat, të cilat në momentin e hyrjes në Shqipëri nuk janë në qarkullim të lirë dhe i nënshtrohen regjimeve të veçanta doganore, lindja e tatimit ndodh dhe TVSH-ja bëhet e kërkueshme kur këto mallra çlirohen nga regjimet ose situatat e sipërpërmendura.

Vlera e tatueshme

Vlera e tatueshme përfshin gjithçka që përbën vlerën korresponduese që furnizuesi i mallit ose shërbimit merr ose do të marrë nga blerësi, klienti apo një i tretë, në këmbim të furnizimit, përfshirë edhe subvencionet e lidhura drejtpërdrejt me çmimin e këtyre furnizimeve, përveç TVSH-së.

Vlera e tatueshme e mallrave të importuara përbëhet prej vlerës së përcaktuar në import nga autoriteti doganor, mbi bazën e legjislacionit doganor në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Elemente që përfshihen në vlerën e tatueshme

tatimet, taksat, detyrimet, tarifat dhe pagesa të ngjashme, me përjashtim të TVSH-së.

shpenzimet dytësore, të tilla si shpenzimet komisionere, të ambalazhimit, të transportit dhe të sigurimit.

vlera e ambalazheve kur ato janë të pakthyeshme.

Elemente që nuk përfshihen në vlerën e tatueshme

-uljet e çmimit për rastet e zbritjes për pagesa të hershme të kryera për furnizimin;

-uljet dhe reduktimet e çmimit që i bëhen blerësit apo klientit;

-shumat që ka marrë një person i tatueshëm nga klienti i tij, si rimbursim për shpenzimet e bëra në emër dhe për llogari të këtyre të fundit.

-Shkalla tatimore

-Shkalla standarde e TVSH

-Shkalla standarde e tatimit mbi vlerën e shtuar për furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, e cila aplikohet si një përqindje e vlerës së tatueshme, është 20 për qind.

Shkalla tatimore 0% e TVSH është e zbatueshme për:

-eksportin e mallrave;

-furnizimi i mallrave organizmave pa qëllim fitimi;

-furnizimi i shërbimeve që konsistojnë në punime mbi mallra të importuara për t’u bërë atyre punime në Shqipëri dhe të dërguara sërish jashtë Shqipërisë;

-furnizimi i shërbimeve, të lidhura drejtpërdrejt me eksportimet apo importimet e mallrave;

-disa operacione të lidhura me transportin ndërkombëtar të mallrave e udhëtarëve;

-furnizimet e mallrave dhe shërbimet e kryera në kuadrin e marrëdhënieve diplomatike dhe konsullore;

-furnizimet e mallrave dhe shërbimeve ndaj organizatave ndërkombëtare, si dhe anëtarëve të këtyre organizatave;

-furnizimet e mallrave dhe shërbimeve për forcat e armatosura të shteteve të tjera anëtare të NATO-s;

-furnizimi i arit ndaj Bankës së Shqipërisë.

E drejta e zbritjes e TVSH lind e aplikohet kur:

-I shërben veprimtarisë së tatueshme;

-Kur TVSH-ja e zbritshme bëhet e kërkueshme;

-Formalisht mbështetet me një dokument të ligjshëm justifikues (faturë tatimore, deklaratë doganore importi).

-Aplikimi i zbritjes së pjesshme të TVSH

-Nëse furnizimet e mallrave dhe shërbimeve përdoren nga një person i tatueshëm, si për kryerjen e transaksioneve të tatueshme që sjellin të drejtën e zbritjes së TVSH-së edhe për transaksionet, që nuk e sjellin këtë të drejtë, atëherë vetëm pjesa e TVSH-së që lidhet me kategorinë e parë të transaksioneve është e zbritshme.

Rimbursimi behët kur:

Eksportuesit kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim kur teprica e tyre tejkalon shumën 400 000 lekë, pra pa qenë i kërkueshëm kushti i parë.

Brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së personit të tatueshëm eksportues, administrata tatimore kryen procedurën e rimbursimit.

Brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së personit të tatueshëm, jo eksportues, administrata tatimore kryen procedurën e rimbursimit.

Personat e tatueshëm, paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo kërkesë paraqitet sipas formularit të miratuar “Kërkesë për rimbursimin e TVSH-së, të cilën mund ta gjeni më poshtë.

Pagesa e tepricës kreditore të rimbursueshme kryhet brenda pesë ditëve, nëpërmjet sistemit të thesarit, në bazë të rregullave të përcaktuara nga ana e Ministrit të Financave.

Personi përgjegjës për pagesën e TVSH-së

TVSH-ja paguhet nga ana e personit të tatueshëm që kryen një furnizim mallrash ose shërbimesh të tatueshëm, përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe.

TVSH-ja është e pagueshme nga personi i tatueshëm ose personi juridik i patatueshëm, i identifikuar për

TVSH-në, të cilit i janë furnizuar shërbimet, nëse këto shërbime furnizohen nga një person i tatueshëm që nuk është i vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë.

TVSH-ja paguhet nga çdo person, i cili e shënon TVSH-në në një faturë.

Kur fatura e lëshuar nuk përkon me furnizimin e mallit apo me kryerjen e shërbimit ose tregon një çmim që nuk duhet të paguhet efektivisht nga blerësi, TVSH-ja paguhet nga personi që e ka faturuar atë.

Në import TVSH-ja paguhet nga personi ose personat përgjegjës për pagesën e detyrimeve doganore në import, siç përcaktohet në Kodin Doganor të Republikës së Shqipërisë.

TVSH-ja paguhet nga personi, i cili çliron mallrat për qarkullim të lirë nga regjimet e veçanta doganore.

Kujdes! Personi i tatueshëm, për të cilin është kryer një furnizim malli ose shërbimi dhe që ka dijeni ose nuk mund të mohojë faktin që TVSH-ja për t’u paguar ose pjesë e kësaj TVSH-je mbi këtë furnizim ose mbi të gjitha furnizimet e mëparshme të mallrave a shërbimeve, nuk është paguar për shkak të mashtrimit, është përgjegjës bashkë me furnizuesin për pagesën e TVSH-së.

Detyrimet e personave të tatueshëm

Personi tatueshëm duhet të bëhet i identifikueshëm. Ai duhet të pajiset me një numër unik identifikimi(NUIS), pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit(QKB), numër që shënohet në çertifikatën e lëshuar për këtë qëllim.

Personi i tatueshëm duhet të sigurohet për lëshimin e faturës në rastet e mëposhtme:

për çdo furnizim malli ose shërbimi që kryen kundrejt një personi tjetër të tatueshëm ose të patatueshëm;

për çdo pagesë të kryer para se të kryhet furnizimi i mallit ose para përfundimit të furnizimit të shërbimit;

fatura lëshohet në mënyrë periodike për disa furnizime mallrash ose shërbimesh, të cilat furnizohen në mënyrë të rregullt ose të vazhdueshme, të realizuara midis personit të tatueshëm dhe klientit të tij në të njëjtin muaj, në të cilin furnizimet janë kryer;

Në ndërtim fatura tatimore duhet lëshuar çdo muaj;

fatura mund të lëshohet edhe nga blerësi ose klienti i një malli apo shërbimi për furnizimet e mallrave ose shërbimeve të marra prej tij nga një person i tatueshëm.

Personi i tatueshëm, për furnizime mund të lëshojë edhe faturë të thjeshtuar, për vlera nën 40 000 lekë dhe kur blerësi nuk e kërkon një faturë tatimore me TVSH.

Personi i tatueshëm, është i detyruar të mbajë librin e blerjeve dhe të shitjeve, ku regjistron, të gjitha blerjet dhe shitjet e kryera në periudhën tatimore (muaji). Libri i blerjeve dhe i shitjeve, dorëzohet elektronikisht jo më vonë se data 10 e muajit që pason periudhën tatimore që deklarohet.

Çdo person i tatueshëm duhet të dorëzojë një deklaratë TVSH-je, e cila përmban gjithë informacionin e nevojshëm në të cilin bazohet llogaritja e TVSH-së që është bërë e kërkueshme, vlerën e TVSH-së që mund të zbritet, vlerat e tatueshme të veprimeve që lidhen me llogaritjen e TVSH-së së kërkueshme dhe asaj të zbritshme si edhe vlerën e furnizimeve të përjashtuara nga TVSH-ja.

Regjimet e veçanta të aplikimit të TVSH-së në Shqipëri janë ato si mëposhtë:

Regjimi për agjencitë e udhëtimit;

Regjim i veçantë i zbatuar për shitjen e mallrave të përdorura, veprave të artit, objekteve të koleksionit dhe antikuarët;

Regjimi i marzhit të fitimit;

Regjimi i shitjeve me ankand;

Regjimi i veçantë: skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë;

Regjimi i veçantë mbi arin për investim.

Hollësisht për t’u njohur me këto regjime, referohuni tek dokumentacioni i mëposhtëm.

Previous articleAvokat falas ne Shqiperi. Kriteret qe duhen permbushur
Next articleSi behet korrigjimi i deklarimeve online