Kush përfiton para cash nga “Paketa e Shpëtimit”, procedurat që duhet të ndiqen

0
2923

Qeveria ka bërë tashmë publike në Fletoren Zyrtare se si do të përfitojnë bizneset e vogla, personat me ndihmë ekonomike dhe ata që kanë një pagesë papunësie nga paketa e shpëtimit anti Covid-19.

Fondi në dispozicion për këto kategori është pesë miliardë e tetëqind e pesëdhjetë milionë lekë dhe do të përballohet nga zëri “Kontingjenca për paketën sociale anti-COVID”, miratuar në buxhetin e shtetit, për vitin 2020.

Efektet nisin më datën 1 prill dhe nuk zgjasin më shumë se tre muaj.

Referuar vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, ndihma financiare për të vetëpunësuarit/të punësuarit llogaritet dhe jepet sipas listëpagesave të deklaruara nga bizneset. Për ato biznese që i deklarojnë listëpagesat çdo tremujor, do të konsiderohet listëpagesa e tremujorit të fundit të vitit 2019, ndërsa për bizneset që i deklarojnë listëpagesat çdo muaj, konsiderohet listëpagesa e muajit janar 2020.

Listëpagesat përditësohen me ndryshimet e deklaruara deri në datën e mbylljes së veprimtarisë.

Aplikimi për të përfituar ndihmë financiare bëhet nga biznesi i të vetëpunësuarit/të punësuarit. Individët, që janë në më tepër se në një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagë minimale.

Përfituesit e ndihmës financiare janë individët e vetëpunësuar/të punësuar në bizneset me të ardhura vjetore deri 14 milion (katërmbëdhjetë milionë) lekë për vitin 2019, sipas kategorizimit të mëposhtëm:

a) Personat fizikë të vetëpunësuar;

b) Punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar;

c) Të punësuarit në personat fizikë tregtarë;

ç) Të punësuarit në personat juridikë.

Për të përfituar ndihma financiare, duhet që subjekti tatimpagues:

a) të ketë ndërprerë aktivitetin në zbatim të urdhrave përkatës të ministrit së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), të nxjerra për këtë qëllim;

b) të jetë pagues i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimin mbi fitimin;

c) të ardhurat e deklaruara të të cilit, sipas deklaratës së tatimit mbi fitimin/tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, për vitin 2019, të jenë deri 14 milion (katërmbëdhjetë milionë) lekë.

Bizneset duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet portalit efilinig, kërkesën me të dhënat e përfituesve ku përfshihen:

a) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS;

b) Të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë të vetëpunësuarit, punonjësit e papaguar të familjes dhe të punësuarit, përfshirë:

i. emrin, atësinë, mbiemrin;

ii. numrin personal të identifikimit të përfituesit;

iii. bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;

iv. numrin e llogarisë bankare.

PROCEDURA E VERIFIKIMIT PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE

Drejtorive rajonale tatimore bëjnë verifikimet dhe identifikojnë aplikuesit dhe të dhënat në kërkesën e tyre, brenda 10 (dhjetë) ditëve të para të muajit pasardhës, duke analizuar:

a) tatimpaguesin dhe veprimtarinë e tij, duke verifikuar nëse bën pjesë në listën e veprimtarive që përfitojnë ndihmën financiare;

b) deklarimet e bëra dhe pagesat e kryera për tatimet dhe kontributet;

c) krahasimisht listën e paraqitur për përfitim ndihme me listëpagesën e dorëzuar në mënyrë elektronike dhe detyrimet e paguara;

ç) të ardhurat e realizuara nga subjekti për vitin 2019.

Me qëllim shmangien e abuzimit, tatimet duke përdorur analizën e riskut, mund të kryejnë edhe verifikime në subjektet përfituese për të verifikuar nëse janë të mbyllura.

Mandej Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit listën përmbledhëse të individëve përfitues të ndihmës financiare për bankën përkatëse, me të dhënat:

a) emrin, atësinë, mbiemrin, numrin e telefonit, e-mailin;

b) numrin personal të identifikimit të përfituesit;

c) bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;

ç) numrin e llogarisë bankare.

Dhe në fund, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit kryen pagesat për individët përfitues

Ndihma financiare, që përfitojnë të vetëpunësuarit, punëtorët e papaguar të familjes dhe të punësuarit do të jetë 26 mijë (njëzet e gjashtë mijë) lekë në muaj aq sa paga minimale në fuqi.

Kurse pagesa e ndihmës ekonomike për ata që e përfitojnë, do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur sipas vendimit për paketën e shpëtimit.

Pagesa e së ardhurës nga papunësia për ata që e përfitojnë, edhe ajo do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur.

Verifikimi, llogaritja dhe shpërndarja për pagesën e ndihmës ekonomike dhe pagesën e papunësisë, do të bëhet sipas procedurave të dokumentimit e të shpërndarjes nga institucionet e përcaktuara.