Ju vonohet avioni, apo ju anulohet fluturimi? Tani kompensoheni! Ja sa kanë përfituar

0
206

Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) bëri të ditur në buletinin mujor të qershorit se përgjatë këtij viti ka ka patur një rritje të ndjeshme të numrit të kompensimeve që kompanitë u kanë bërë pasagjerëve, për shkak të vonesave apo anulimeve të fluturimeve që nisen nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Nga shifrat zyrtare numri i pasagjerëve të kompensuar vetëm në muajin Qershor 2018 shkon në 60, ndërsa në total që nga muaji Dhjetor kap shifrën e 140 pasagjerëve. AAC-ja pret që kjo shifër të rritet akoma edhe më shumë pasi një numër i madh formularësh ankimimi janë në proces vlerësimi.

Në vitet e mëparshme kompensimi ishte zero.

Pak vonesa e anulime në qershor

AAC thekson se në raportin e Performancës për muajin Qershor vihet re një përmirësim i dukshëm i respektimit të orareve të nisjeve nga kompanitë ajrore. Në krahasim me muajt e mëparshëm të këtij viti, numri i fluturimeve të anulluara apo me vonesë ka rënë ndjeshëm, ndërsa një pjesë e madhe e problemeve që janë shënuar në muajin Qershor, lidhen kryesisht me problemet e motit apo me grevat në Itali. Vonesat dhe anullimet në përqindje më të madhe regjistrohen me Italinë. Në muajin Maj regjistrohen 8 anullime fluturimi ndërsa në Qershor shifra shkon në vetëm 3, si pasojë e motit të keq.

Si u nda tregu në maj mes operatorëve

Referuar të dhënave zyrtare të ardhura ë Autoritetin e Aviacionit Civil, muaji Maj 2018 karakterizohet nga një fluks në rritje i pasagjerëve që udhëtojnë nëpërmjet transportit ajror. Shifrat referojnë një numër prej 220,117 pasagjerë të cilët kanë udhëtuar gjatë kësaj periudhe (9669 pasagjerë kanë udhëtuar me linja çarter).

Kompania ajrore “Blue Panorama” është mbizotëruese në treg duke mbuluar fluksin më të madh të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Maj 2018, me një numër prej 43,129 pasagjerë ose 20% të totalit. Ndjekur nga “AlbaWings” me një numër prej 28,376 pasagjerë ose 13% ndaj Totalit, “Ernest s.p.a” me 23,857 pasagjerë ose 11% të Totalit dhe Alitalia 21,844 pasagjerë ose 10% të totalit mujor.

Nisur nga këto të dhëna Italia vazhdon të zotërojë përqindjen më të madhe të tregut të transportit ajror për muajin Maj 2018, duke zënë 54% të totalit, ndjekur nga Turqia me 10%. Nëse referuar shifrave do të analizonim ecurinë e tregut të transportit ajror në vendin tonë për muajin Maj të viteve 2016-2017-2018, vëmë re, se kemi një rritje të numrit të pasagjerëve që udhëtojnë nëpërmjet ajrit, vit pas viti.

Trefishohen çarterat

Për sa i përket numrit të pasagjerëve të fluturimeve çarter për muajin Maj 2018 ka patur trefishim të fluturimeve, që në përqindje shkon në 204.92%, kjo si rredhojë e numrit të lartë të turistëve të huaj që kanë zgjedhur të vizitojnë vendin tonë.

Monitor