Dalin detaje të reja për projektin e TVSH për biznesin e vogël! Ahmetaj: Deklarimi çdo 3 muaj, përjashtohen berberët, taksistët e fermerët
Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka dhënë detaje të reja lidhur me projektin e qeverisë për përfshirjen e biznesit të vogël në regjimin e TVSH-së. Përjashtim nga ky detyrim,sipas Ahmetajt, do të kenë artizanët e zejtarët, tregtarët e fruta-perimeve në tregjet e bashkive, fermeret, berberët apo taksistët. Kjo nënkupton se projekti i qeverisë parashikon më së shumti subjektet e tregtisë që merren me shitje dhe blerje.
Ndërkohë, sa i përket problematikës së deklarimit, ministri bëri të ditur në emisionin “Opinion” se bizneset e vogla do të duhet të raportojnë 1 herë në 3 muaj, dhe jo çdo transaksion në kohë reale.
Në këtë mënyrë, edhe për TVSH-në do të ndiqet e njëjta praktikë si me deklarimet e tjera. Nga ana tjetër, sa i përket bilanceve reale dhe vetëdeklarimeve,projekti parashikon mundësinë që bizneset e vogla të korrigjojnë pa penalitete deklarimet e tre viteve të fundit.
SCAN