Biznesi i vogel pagesa dhe deklarimi

0
2397

Biznesi i vogel, SI TE BËHET PAGESA DHE DEKLARIMI

Bizneset me xhiro nga 2-8 milionë lekë

Deri tani, bizneset e vogla paguanin një taksë fikse, katër herë në vit, sipas një formulari që miratohet nga bashkia çdo fillim viti. Kësti i tatim fitimit fiks varion nga 6 mijë lekë deri në 15 mijë lekë për çdo tremujor (përkatësisht 24 mijë lekë dhe 60 mijë lekë në vit) dhe paguhej në bankë bashkë me sigurimet brenda datave 20 prill, 20 korrik, 20 tetor dhe 20 dhjetor të çdo viti. Duke filluar nga 1 janari 2014, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogel, për subjektet me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë, llogaritet në bazë të formularit të deklarimit tatimor të biznesit te vogel, i cili përcaktohet me udhëzim të Ministrit të Financave.

 

Si do të bëhet deklarimi

Sipas ligjit të ri, bizneset me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë, janë të detyruar që, deri më 10 shkurt të vitit që pason periudhën tatimore, të dorëzojnë një deklaratë vjetore tatimore, ku të jepen hollësisht të ardhurat, gjithsej, shpenzimet e zbritshme, fitimi i tatueshëm, tatimi për t’u paguar, si dhe çdo hollësi tjetër e kërkuar nga Ministri i Financave në udhëzimin për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës tatimore vjetore.

Deklarata dorëzohet në bankat, me të cilat administrata tatimore ka marrëveshje për pranimin e deklaratave dhe të pagesave dhe ajo shoqërohet me çdo kërkesë për rimbursim apo me çdo shumë për t’u paguar.biznesi i vogel

 

Pagesa

Sipas ligjit të ri, pagesat e kësteve të tatimit kryhen te bankat e nivelit të dytë për llogari të administratës tatimore, brenda datave 20 prill, 20 korrik, 20 tetor dhe 20 dhjetor të çdo viti. Me kryerjen e pagesës dhe marrjen e konfirmimit bankar të kryerjes së pagesës, tatimpaguesi shkon te zyrat e shërbimit tatimpagues tatimor dhe, kundrejt paraqitjes së dokumentit bankar të pagesës, merr “Pullën e tatimit” të këstit, për të cilin ka bërë pagesën. Dizenjot dhe elementet e pullës caktohen me udhëzim të Ministrit të Financave.

Tatimpaguesi e vendos pullën e tatimit lart certifikatës së regjistrimit në QKR për të lehtësuar ushtrimin e kontrollit vizual nga organet kompetente. Këto dokumente prodhohen nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë dhe shpenzimet përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. “Pulla e tatimit” duhet të përmbajë elemente të sigurisë së lartë për të shmangur falsifikimin e tyre.

Tatimpaguesit me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë në vit paguajnë tatimin fiks, në masën 25 000 lekë në vit, te drejtoritë rajonale tatimore brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti, te bankat e nivelit të dytë, për llogari të drejtorisë rajonale tatimore. Për kryerjen e pagesës dhe marrjen e konfirmimit bankar të kryerjes së pagesës, tatimpaguesit shkojnë te zyra e shërbimit tatimpagues tatimor dhe, kundrejt paraqitjes së dokumentit bankar të pagesës, marrin “Pullën e tatimit”, për të cilën kanë bërë pagesën.

 

Bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë

Sipas ligjit të ri, të gjithë tatimpaguesit me qarkullim nga zero deri në 2 milionë lekë në vit (bizneset mikro) paguajnë si tatim të thjeshtuar mbi fitimin një tatim fiks, në masën 25 000 lekë në vit te drejtoritë rajonale tatimore. Kjo pagesë kryhet brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti.Kjo shumë rezulton pak a shumë e njëjtë me atë që paguanin këto biznese edhe me sistemin e vjetër të taksimit (6 mijë lekë për çdo tremujor).

 

TE ARDHURAT DHE SHPENZIMET

 

Të ardhurat

Të ardhurat gjithsej nga veprimtaria e biznesit të vogel nënkuptojnë çdo lloj të ardhure, të realizuar gjatë periudhës tatimore dhe përfshijnë, pa u kufizuar vetëm në to: të ardhurat e realizuara nga furnizimi i mallrave dhe shërbimeve, të ardhurat nga pjesëmarrjet, të ardhurat nga interesat, të ardhurat nga shfrytëzimi i pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.

 

Shpenzimet e njohura

Për përcaktimin e fitimit të tatueshëm në Republikën e Shqipërisë njihen si shpenzime ato që kryhen për qëllime fitimi, sigurimi dhe ruajtje të fitimit, në masën që këto shpenzime provohen dhe dokumentohen nga tatimpaguesi, si dhe kur janë objekt i kufizimeve të specifikuara nga ky ligj.

 

Shpenzimet e panjohura

1. Për efekt të përcaktimit të fitimit të tatueshëm, nuk njihen shpenzimet e mëposhtme:

a) kostoja e blerjes dhe e përmirësimit të tokës e të truallit;

b) kostoja e blerjes, përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktiveve të veprimtarisë, të cilat amortizohen, në përputhje me nenin 22 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar;

c) vlera e shpërblimeve në natyrë;

ç) interesat e paguar, të cilët tejkalojnë normën mesatare të interesit 12-mujor të kredisë, për tregun bankar, sipas publikimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë;

d) gjobat, kamatëvonesat dhe kushtet e tjera penale;

dh) krijimi ose rritja e rezervave dhe e fondeve të tjera speciale, përveç rasteve të parashikuara në ligj apo në akte nënligjore;

e) tatimi mbi të ardhurat personale dhe ato nga biznesi;

ë) shpenzimet për përfaqësim dhe për pritje-përcjellje, të cilat e tejkalojnë shumën 0,3 për qind të qarkullimit vjetor;

f) shpenzimet e konsumit personal, të përcaktuara me udhëzim të Ministrit të Financave;

g) shpenzimet, të cilat tejkalojnë kufijtë e përcaktuar me ligj apo me akte nënligjore. Për kufijtë e përcaktuar për qëllime tatimore në ligjin nr. 7892, datë 21.11.1994, “Për sponsorizimet”, nuk njihen si shpenzime të njohura shumat e sponsorizuara që tejkalojnë masën 3 për qind të fitimit para tatimit dhe shuma e sponsorizuar për botuesit e shtypit, e cila tejkalon masën 5 për qind të fitimit para tatimit;

gj) shpenzimet për dhurata;

h) çdo shpenzim, masa e të cilit nuk vërtetohet me dokumente nga tatimpaguesi;

i) shpenzimet për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit, të faturuara nga persona të tretë, për të cilat nuk është paguar tatimi në burim, brenda periudhës tatimore nga tatimpaguesi”.

j) humbjet, dëmtimet, firot dhe skarcot gjatë prodhimit, transitimit dhe magazinimit tej normave të përcaktuara në akte të veçanta ligjore dhe nënligjore;

k) shpenzimet për pagat, shpërblime dhe çdo formë tjetër të të ardhurave personale, të cilat lidhen me të ardhurat nga marrëdhëniet me punësimin, që u janë paguar të punësuarve, përfshirë dhe administratorët, pa kaluar nëpërmjet sistemit bankar. Rastet e përjashtimit nga ky rregull janë të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;

l) shumat e paguara në cash, mbi kufijtë e përcaktuar në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Rastet e përjashtimit nga ky rregull janë të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;

ll) nëse gjatë periudhës tatimore huaja dhe parapagimi tejkalojnë mesatarisht katër herë shumën e kapitaleve të veta, interesi i paguar për shumën e tejkaluar nuk njihet si shpenzim i zbritshëm;

m) borxhi i keq, nëse nuk plotësohen tri kushtet e përcaktuara në nenin 24 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Një borxh i keq, që është mbledhur, duhet të përfshihet si e ardhur në çastin e mbledhjes;

n) shpenzimet për udhëtime, ushqim, akomodim dhe lëvizje duhet të kufizohen te shumat e specifikuara me udhëzim të Ministrit të Financave;

nj) shpenzimet për asetet kapitale, përveç shpenzimeve për tokën, veprat e artit dhe pasuri të tjera që nuk amortizohen, në pronësi të tatimpaguesit dhe të përdorura për veprimtaritë e biznesit të tatimpaguesit, do të mbulohen gjatë kohës përmes shpenzimeve të amortizimit, sipas përcaktimeve të mëposhtme:

i) kostot e blerjes ose të ndërtimit, kostot e përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të ndërtesave, të konstruksioneve dhe makinerive e të pajisjeve, me afat të gjatë shërbimi, amortizohen veçmas, në mënyrë lineare, me 5 për qind;

ii) amortizimi për kostot e blerjes së aktiveve të patrupëzuara llogaritet veç për secilin aktiv, sipas metodës lineare, në masën 15 për qind; iii) kompjuterët, sistemet e informacionit, produktet softëare dhe pajisjet e ruajtjes së të dhënave amortizohen në bazë të vlerës së grupit, me 25 për qind;

iv) të gjitha aktivet e tjera të veprimtarisë me 20 për qind.

 

2. Baza e amortizimit është vlera kontabël e kategorisë së regjistruar në bilancin e hapjes së periudhës tatimore, duke i shtuar koston e blerjes apo të krijimit të aktivit dhe koston e përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktiveve të kategorisë, gjatë periudhës tatimore dhe, duke i zbritur çmimin e shitjes së aktiveve dhe kompensimet e marra për humbjen e aktiveve, për shkak të forcave të tjera madhore ose të shndërrimeve të tjera të pavullnetshme, gjatë periudhës tatimore.

Në rastin kur baza e amortizimit është një shumë negative, kjo shumë i shtohet së ardhurës së tatueshme dhe baza e amortizimit merret zero. Në rastin kur baza e amortizimit nuk kalon 5 000 lekë, e gjithë baza e amortizimit është një shpenzim i zbritshëm i veprimtarisë. Në rastin kur bëhet rivlerësim i aktiveve të veprimtarisë, nuk lejohet të llogaritet amortizimi për shumën e rivlerësuar.

Previous articleDorezimi i inventarit online
Next articleSi te hapim nje biznes – manual per te rinjte